Albanian | Anglisht

Zbulesë dhe përgjigje


Adhurimi është gjithmonë një përgjigje ndaj një zbulese. Duke qenë i përfshirë në drejtimin e adhurimit, këto dy fjalë, “zbulesë” dhe “përgjigje” më duken shumë frytdhënëse. Ç’lloj zbulese kemi marrë për Zotin? Ç’lloj përgjigjeje kërkohet apo e plotëson më mirë këtë zbulesë? Çfarë zbulese sjellin këngët që shkruajmë apo zgjedhim te njerëzit që i këndojnë ato? A shfaqet mjaftueshëm Zoti tek këto këngë në mënyrë që të zgjojë zemra të lodhura dhe shkurajuara me një zbulesë kuptimplotë?

 

Meditimi i thellë mbi këto dy fjalë është pa diskutim një rrugë e frytshme rreth mënyrës si adhurojmë. Sa më shumë mendoj për këto dy fjalë aq më shumë kuptoj se i kam kushtuar rëndësi më shumë njërës se sa tjetrës. Shpeshherë, i qasem adhurimit duke vlerësuar më tepër përgjigjen se sa zbulesën. Ndoshta të njëjtin qëndrim kanë dhe drejtues të tjerë të adhurimit.


Kam marrë pjesë në takime adhurimi në të cilat dukej qartë se drejtuesi i adhurimit ishte lodhur shumë për të marrë një “përgjigje”. Në këto kohë nuk i është kushtuar shumë kujdes integritetit dhe zemrës së ofrimit, përkundrazi njerëzit janë nxitur në mënyrë të vazhdueshme të “thërrasin me zë të lartë, të duartrokasin e të kërcejnë”. Në vend që të fokusohemi për të sjellë një tejmbushje të vërtetë dhe kuptimplotë të zemrës, duket sikur jemi angazhuar në një lloj konkurrence diskotekash shpirtërore, me një çmim për konkurruesin më të zhurmshëm. Po unë ç’stil drejtimi kam?

Interesohem më shumë për mendimet që më kalojnë në kokë gjatë kohës që drejtoj adhurimin se sa për vokalin tim.          

 

A nuk kam drejtuar takime, në të cilat, pasi kemi kënduar këngët festive, kam dashur të përdor standardin e “duartrokitjeve” për të provuar nëse jemi aty ku duhej të ishim? (Në fund të fundit, nëse njerëzit duartrokasin pas çdo kënge të shpejtë dhe të gjallë, atëherë do të thotë që ajo ishte një nga netët e mira, apo jo?) A nuk e gjej ndonjëherë veten duke kontrolluar në mënyrë të pandërgjegjshme bashkësinë nëse po shfaq apo jo shenja jete, si p.sh: duar të ngritura lart? (domosdoshmërisht kjo do të thotë që gjithçka “po ecën mirë”! Më tej, ndërsa hyjmë në një nderim më të thellë ndaj Zotit, a nuk përgjoj përmes syve të mi gjysmë të hapur çfarë përgjigjeje po japin njerëzit e tjerë, duke shpresuar që të shoh të paktën një person që ka rënë në gjunjë?


Ju lutem të kuptoni që po e ekzagjeroj pak në këta shembuj, por nga ana tjetër shpresoj të jem i qartë. Shpeshherë ndërsa drejtoj adhurimin prirem të marr një përgjigje të mirë nga njerëzit, sepse dua të shoh rezultate. Të gjitha këto gjëra janë të mira: kërcimi, ngritja e duarve të shenjta, duartrokitjet dhe rënia në gjunjë. Nuk i kërkoj me dëshpërim këto gjëra (apo më keq, të bëj çmos që të ndodhin), por jam më tepër i interesuar për motivet që fshihen pas këtyre përgjigjeve (ose mosdhënies së këtyre përgjigjeve). Eshtë e vështirë ta bësh këtë dallim, por mjaft e rëndësishme për mendësinë e çdo drejtuesi adhurimi.

Këtu dalim tek ana tjetër e medaljes, “zbulesa”. Para se ta stërmundojmë veten për mënyrën se si po i përgjigjen njerëzit adhurimit, është mirë të ndërgjegjësohemi se kujt po i përgjigjen në të vërtetë. Si drejtues dhe autorë këngësh adhurimi, duhet të bëjmë më shumë kujdes ndaj arsyes kryesore të adhurimit, e cila është vlera e Zotit në këtë shërbesë. Çfarë aspektesh të mrekullive dhe shkëlqimit të Zotit po u shpalosim njerëzve, drejt të cilave ata t’i kthejnë zemrat e tyre? Si mund t’u kujtojmë zemrave, mendjeve dhe shpirtrave veprat e mëshirës që janë bërë për ta, hirin madhështor që është fituar për ta? Duhet të kuptojmë që kjo nuk është e gjitha përgjegjësia jonë; gjithkush që është pjesë e një shërbese të tillë luan rolin e vet. Ne duhet ta marrim seriozisht rolin tonë. Le të kemi një tjetër qasje, ndryshe nga ajo që i stërvit njerëzit të japin përgjigje ndaj adhurimit. Le të krijojmë këngë që janë aq përplot me Jezusin e lavdishëm sa të ndezin një zjarr të ri, duke sjellë përgjigje nga zemrat e mbushura që i këndojnë ato.

Nëse mund t’i çojmë njerëzit drejt zbulesave gjatë takimeve të adhurimit, atëherë jam i sigurt që përgjigjja ndaj këtij adhurimi do të vijë natyrshëm.

 

Ne nuk do t’i pengojmë dot adhuruesit plot pasion që të kërcejnë, të thërrasin e të përulen përpara Zotit.


Uilliam Tempëll ka thënë:

“Adhurimi shërben për të përshpejtuar ndërgjegjen nëpërmjet shenjtërisë së Perëndisë”

“Për të ushqyer mendjen me të vërtetën e Zotit”

“Për të pastruar imagjinatën përmes bukurisë së Zotit”

Për t’ia përkushtuar vullnetin tonë qëllimit të Perëndisë”.


Vini re se
ç’pjesë e madhe e këtij përkufizimi përqendrohet rreth “zbulesës”.  Ja një burrë që dinte se, nëse në ndonjë mënyrë do të mund t’i përfshinim njerëzit në shenjtërinë, të vërtetën dhe bukurinë e Zotit, kjo do të sillte një përkushtim të vullnetshëm ndaj qëllimit të Perëndisë, pra, jetët tona do të derdheshin plotësisht në adhurim. Kjo është përgjigjja përfundimtare e çdo adhuruesi të vërtetë.

Matt Redman
(Used by Permission – 2009)

Adhurimi lind në zemër

Në intervistat që kam dhënë kohët e fundit për shtypin e
krishterë më është bërë herë pas here një pyetje. “Çfarë mendon për theksin që
po i vihet në ditët e sotme adhurimit në industrinë e muzikës së krishterë?”
Pyetja ndiqet nga komente rreth rrezikut të kthimit të adhurimit në marketing.
Në një nga këngët e saj, Loren Hill thotë: “Hip-hopi lindi në zemër, aty i pati
fillesat e tij, ndërsa tani është bërë vetëm një çështje klasifikimi”. Mos po
ndodh e njëjta gjë edhe me adhurimin?

 

Së pari, dua t’ju them se jam i kënaqur që po ma bëni këtë pyetje, e cila
tregon ndjeshmëri ndaj kësaj çështjeje dhe kjo është shenjë e mirë. Rreziku
është se mund të na rrëmbejë aq shumë momenti, sa të harrojmë të bëjmë pyetjen
më të rëndësishme: “Çfarë mendon Zoti për gjithë këtë gjë?” Kjo është pyetja që
çdo njeri i përfshirë në ‘industrinë’ e muzikës së krishterë duhet t’i bëjë
vetes në fund të ditës. Inkurajohem që sot janë të shumtë ata që po e bëjnë
këtë pyetje të vështirë. Mbi të gjitha, është biblike, ashtu siç lutej edhe
vetë psalmisti: “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo, njihi
mendimet e mia, shiko nëse ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër
rrugën e përjetshme”.

 

Kjo frazë e shkëputur nga Psalmet përbën një test shumë
të mirë, nëpërmjet të cilit mund të kontrollojmë mënyrat si shërbejmë. A po
shërbejmë me perspektivën e përjetësisë? A po i përdorim këngët tona, albumet
dhe gjith
çka tjetër për të ndërtuar mbi gjëra të
përjetshme, të cilat do ta ndërgjegjësojnë kishën dhe forcojnë misionin e saj?
Apo po e përdorim muzikën pa pasur motivet e duhura? Mund ta shtrojmë pyetjen
edhe në një mënyrë tjetër: “Cilën Mbretëri po ndërtojmë ne?” Ndërsa shkruaj një
këngë, pranoj një ftesë, apo regjistroj një album, cilën Mbretëri po ndërtoj? A
është mbretëria e “Met Redman” (përpjekja foshnjarake përmes së cilës dua ta
tregoj veten me të mirë nga ç’jam) apo është Mbretëria e shenjtë, e patundur
dhe e përjetshme e Zotit? A janë të gjitha përpjekjet e mia një shërbesë për
Mbretin dhe Mbretërinë e tij? Kjo është një pyetje shumë e vështirë, sidomos
nëse po kërkojmë një përgjigje të sinqertë.


Ndoshta tani ti po mendon: “Kjo nuk ka të bëjë shumë me
mua. Është e vërtetë që regjistroj disa nga këngët e mia dhe pastaj u bëj disa
kopje CD-ve, por e kam të pamundur të lidhem me ndonjë shtëpi diskografike dhe
të rrëmbehem në skenarin e muzikës së Krishterë të adhurimit”. Ndoshta mund të
jesh i përfshirë më tepër nga ç’mendon. Ky artikull nuk ka në thelb muzikën e
adhurimit dhe industrinë në të cilën po rritet ajo, por motivet dhe standardet
e zemrës. Ashtu siç thuhet te Fjalët e Urta, asnjë nuk mund t’i dijë me siguri
motivet e veta, kjo është punë e Zotit, është një hetim ndriçues i Shpirtit të
Tij të Shenjtë. Ka ardhur koha që të kërkojmë thellë në zemrat tona me të
njëjtin stil si të psalmistit.

                                              

 

Kur bëhet fjalë për një adhurim të pastër, Shpirti i Shenjtë i Perëndisë është
“inspektori” dhe “orkestruesi”. Ndërsa flas për kishën dua të theksoj se, asgjë
e thellë, e pastër, kuptimplotë dhe shpirtërore nuk mund të ndodhë pa praninë e
Shpirtit të Shenjtë gjatë adhurimit. Sipas Filipianëve 3:3, ne “adhurojmë
përmes Shpirtit të Perëndisë (i shërbejmë Perëndisë në Frymë)” Ai është
elementi kryesor i adhurimit tonë, gjithmonë ka qenë (që nga dita kur rrëfyem
që Krishti është Zot) dhe gjithmonë do të jetë. Nëse adhurimi në kishë është i
pastër, i thellë, kuptimplotë dhe shpirtëror, atëherë e tillë duhet të jetë dhe
muzika e adhurimit që shkruhet dhe sigurohet nga albumet. Nëse duam që këto të
jenë frytet e punës sonë duhet ta kërkojmë fillesën te Shpirti i Shenjtë i
Perëndisë. Kam një pyetje për studiot e regjistrimit, autorët e këngëve,
inxhinierët e zërit dhe drejtuesit e adhurimit: A po dëgjojmë për të marrë ide
nga Përendia, ide që i kanë fillesat nga Shpirti i Shenjtë apo zgjedhim duke i
vlerësuar vetëm mbi kriterin e përshtatjes në një segment të caktuar të tregut?
Nuk kam asnjë dyshim se gjithë kjo valë e re e muzikës së krishterë që ka
përfshirë gjithë botën është e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, por në këtë
fazë që jemi, kemi përballë sfidën që ajo çka është nisur “në Frymë” të mos
vazhdojë “në mish”. Për fat të keq, për disa shërbesa të mrekullueshme, ky
është fundi.

Nuk ekziston një formulë përmes së cilës ne merremi me
këtë çështje të adhurimit. Në formën e saj më të pastër ajo është një thirrje e
thellë; në vendet më të thella të zemrave tona të gjejmë vendet më të thella të
zemrës së Zotit përmes vajosjes hyjnore të Shpirtit të Shenjtë të Perëndisë. Ne
mund të krijojmë CD, por nuk mund të krijojmë adhurim të vërtetë. 

Matt Redman
(Used by Permission – 2009)